Kina kthen sytë nga futbolli

12/02/2016 16:00

Në 2 sezonet e fundit të merkatos, skuadrat kineze të futbollit kanë shpenzuar më shumë se 250 mln euro për të blerë lojtarë të rinj, pjesa më e madhe nga Europa.

Deri para 3 vjetësh, Kina shihej nga të gjithë si vendi ku mbyllej karriera, ndërsa tani është shndërruar në të preferuarin e lojtarëve me emër në Europë si Guarin, Gervinho, Ramires apo dhe Jackson Martinez.

Sezoni starton në mars dhe merkatoja që bëhet tani është më e rëndësishmja, por kjo nuk është arsyeja e vetme. Pas viteve 2004, korrupsioni në futbollin kinez ka qenë në përmasa të paimagjinueshme. Shumë presidentë klubesh, trajnerë, futbollistë dhe gjyqtarë përfunduan pas hekurave për trukim rezultatesh.

Në 3 vitet e fundit, kjo gjë është përmirësuar dhe sipas analistëve sportivë europianë, ka ndodhur falë përfshirjes së kompanive më të pasura në vend, të cilat nuk duan t’u prishet imazhi dhe interesave të qeverisë për rolin e futbollit në shoqërinë kineze.

Rritja e nivelit sportiv solli dhe rritjen e shikueshmërisë. Në sezonin e fundit, numri i spektatorëve shkonte nga 22 mijë deri në 45 mijë tifozë, rreth 16 përqind më shumë se një vit më parë.

Në fillim të 2015, presidenti kinez Xi Jinping, i apasionuar pas futbollit publikoi një plan 20-vjeçar ku përveç të tjerave vendosi që futbolli të jetë lënde më vete në shkollat kineze.

Top Channel