Icardi: E ardhmja ime është te Interi

12/02/2016 13:00

Mauro Icardi e di shumë mirë se çfarë dëshiron të bëjë me karrierën e tij. Sulmuesi argjentinas e shprehu qartë dëshirën e tij për të qenë ende pjesë e Interit, edhe pse për të ka shfaqur interes një skuadër si Manchester United.

Media britanike është e sigurt: me ardhjen e Mourinhos, “Djajtë e Kuq” do të bëjnë tentativë për të sjellë në “Old Trafford” Icardin, kartoni i të cilit vlerësohet 40 milionë euro. Por sulmuesi 23-vjeçar nuk tundohet aspak dhe në një intervistë për “Corriere dello Sport” shprehu edhe një herë besnikërinë ndaj klubit zikaltër.

“Dëgjova diçka për interesimin e klubeve të tjera në muajt e kaluar, por unë dëshiroja qëndrimin te Interi. Familja ime ndihet shumë mirë në Milano ku duam të jetojmë për një kohë të gjatë. Gjithnjë e kam pasur të qartë në mendje se e ardhmja ime është te Interi. Këtu ndihem shumë mirë dhe nuk kam ndërmend të largohem. Klubi ka një projekt të rëndësishëm dhe unë dua të jap kontributin tim. Për më tepër dua të luaj në Ligën e Kampioneve me Interin”, tha Icardi.

Sulmuesi argjentinas në intervistën e tij mohoi edhe zërat e shfaqura së fundmi për probleme në raportet e tij me Mancinin: “Me Mancinin kam një marrëdhënie të shkëlqyer. Në fillim të sezonit më kërkoi të shënoja 15-20 gola. Normale që ai të ketë këto pretendime ndaj meje dhe të më japë stimuj. Me Mancinin po mësoj të luaj edhe jashtë zone, pasi më kërkon të lëviz më shumë”.

Top Channel