Fillon protesta masive e bujqve në Athinë, tension me policinë

12/02/2016 09:45

Ka filluar me tension protesta e bujqve grekë në Athinë kundër reformës së pensioneve. Qindra bujq të mbërritur nga gjithë vendi rrethuan që në orët e para të mëngjesit Ministrinë e Bujqësisë. Bujqit tentuan të hyjnë brenda godinës, por nuk u lejuan prej forcave të shumta të policisë që ndodhen në zonë.

Më herët, disa policë u goditën prej protestuesve në sheshin Karaiskaqi, në kohën që forcat e rendit tentuan të ndalojnë një automjet të ngarkuar me produkte bujqësore që ishte drejtuar për t’u bashkuar me protestuesit që ndodhen jashtë Ministrisë së Bujqësisë.

Protestuesit kanë goditur policët, të cilët u larguan me vrap për të shpëtuar prej valës së zemëruar të bujqve protestues.

Sindikata e bujqve ka paralajmëruar një protestë masive gjatë së premtes dhe së shtunës në Athinë. Rreth 20.000 bujq pritet të mbërrijnë gjatë ditës në Athinë dhe në vazhdim ata do t’i drejtohen sheshit Sindagma, ku dhe do të qëndrojnë deri në tërheqjen prej qeverisë të reformës së pensioneve.

Për të shmangur mbërritjen e bujqve në Athinë me traktorët e tyre, qindra forca policore ndodhen në hyrjet kryesore të Athinës, ku kontrollojnë dhe pengojnë çdo kamion që ka të fshehura mjete bujqësore.

Autoritetet greke i kanë bërë thirje portestuesve që të mos kryejnë akte dhune.

Pranë protestuesve ndodhen edhe partitë opozitare, të cilat kërkuan të rishikohen një pjesë e neneve të ligjit për reformën e pensioneve.

Top Channel