Greqi, Parlamenti miratoi pr.ligjin për licencat kombëtare televizive

12/02/2016 00:00

Pas debateve shumë të ashpra mes deputetëve të shumicës dhe atyre të opozitës, parlamenti grek ka aprovuar me 154 vota pro, 102 kundër dhe 14 abstenime projektligjin e qeverisë që parashikon zhvillimin e një tenderi publik për dhënien e 4 licencave kombëtare për kanale televizive që do të transmetojnë në High Definition.

Ministri i Shtetit që ka paraqitur projektligjin në fjalë ka deklaruar se tani e tutje vendoset rregulli dhe ligjshmëria në një sektor ku mbizotëronte anarkia dhe klientelizmi, pasi në gjithë vendin funksiononin pa licencë për gati 26 vjet 8 kanale kombëtare të profilit të përgjithshëm, ndërsa mesatarja e shumicës së shteteve të BE-së,përveç Italisë, kanë nga 2 deri në 4 kanale kombëtare. 

Deputetë të tjerë të shumicës kanë theksuar se përveç funksionimit pa leje, kanalet kombëtare i detyrohen shtetit në këto momente 18 milionë euro për taksën mbi reklamat dhe 4.8 milionë për gjobat e ndryshme të vendosura nga KKRT-ja, ndërsa ato periferike rreth 181 milionë euro. Vetëm 11 grupe mediatike kanë borxhe në katër bankat kryesore greke mbi 800 milionë euro. 

Opozita nga ana e saj ka akuzuar kabinetin Tsipras se në këtë rast shmanget Kushtetuta  që parashikon se këtë të drejtë e ka vetëm Këshilli Kombëtar i Radiotelevizionit, i cili ka më shumë se dy muaj që nuk mblidhte pasi forcat politike nuk bien në konsensus për përbërjen e tij.

Sipas ligjit të ri që mbështetet në një studim të Universitetit të Firences katër licencat e reja kombëtare do të jepen gjatë një tenderi publik përkundrejt një çmimi që fillon nga 3.5 milionë, do të jenë 10-vjeçare me të drejtë rinovimi, do të kenë kritere që sigurojnë punën dhe kushte për gazetarët dhe personelin teknik, ndërsa numri i të punësuarve do të duhet të jetë më shumë se 400 vetë për çdo kanal.

Top Channel