Derbi i të rinjve, Partizani fiton Kupën e Shqipërisë ndaj Tiranës

11/02/2016 00:00

Është Partizani fitues i Kupës së Shqipërisë për 19-vjeçar, pasi mundi në finale Tiranën me rezultatin 2-1.

Sfida e luajtur këtë të enjte në “Qemal Stafa” nisi me tension mes dy tifozërive, por më pas situata u qetësua duke mos ndikuar në mbarëvajtjen e kësaj finaleje.

Talenti i Partizanit, Bardhi ishte nismëtar i golit të parë të shënuar në minutën e 19 të pjesës së parë. Pasi lëvizi bukur mes tre mbrojtësve të Tiranës, ai e dërgoi topin te Vllaçaj, i cili nuk e pati të vështirë të shënojë golin e parë të ndeshjes.

Më pas, Tirana provoi të reagonte dhe pati disa raste të mira shënimi, por ishte sërish skuadra e “kuqe” që gjeti edhe golin e dytë në mintën e 62-të, me autor Bajramin.

Tirana e kërkoi golin në minutat e mbetura dhe arriti të shkurtonte diferencën 7 minuta nga përfundimi i kohës së rregullt me Prendin. Megjithatë, në minutat e mbetura bardheblutë nuk arritën të shënonin edhe golin e barazimit dhe ndeshja u mbyll me rezultatin 2-1 në favor të Partizanit.

Kupa e Shqipërisë për të rinj u fitua nga Partizani, që me të drejtë festoi së bashku me tifozët.

Top Channel