Conte tek Chelsea merr me vete edhe Pogba

11/02/2016 17:40

Antonio Conte është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e skuadrës së Chelsea-t për sezonin e ardhshëm.

Mediat britanike e lidhin emrin e drejtuesit aktual të kombëtares italiane gjithnjë e më fort me stolin e “Bluve”. Sipas Daily Mail, Conte dhe drejtuesit e skuadrës londineze kanë zhvilluar një takim në muajin janar, ku ish-trajneri i Juventusit ka paraqitur kërkesat e tij për t’u bërë timoneri i skuadrës.

Të njëjta burime thonë se Conte është prezantuar në takim me një listë dëshirash, ku numri një është Paul Pogba, për të cilin Chelsea duhet të shpenzojë rreth 100 milionë euro, duke mos llogaritur këtu edhe konkurrencën e skuadrave të tjera të mëdha të Europës që janë vënë në ndjekje të mesfushorit francez të Juventusit.

Gjithsesi, asgjë nuk është zyrtare dhe për të patur një tablo më të pastër duhet pritur muaji mars, kur përflitet për një takim të dytë mes Conte-s dhe drejtuesve të skuadrës së Roman Abramovic.

Nëse do të kalonte në Premier Lige, Antonio Conte do t’i bashkohej Pep Guardiola-s që ka zyrtarizuar tashmë kalimin tek Manchester City dhe Jose Mourinho-s, që sezonin e ardhshëm do të drejtojë Manchester United.

Top Channel