Liverpuli u bindet tifozëve, ul sërish çmimin e biletave

11/02/2016 13:15

Protesta e tifozëve të Liverpulit gjatë ndeshjes me Sunderland për çmimet e larta të biletave dha efektin e duhur te drejtuesit e “The Reds”. Javën e kaluar, klubi anglez lajmëroi për një rritje të çmimit të biletave deri në 77 paundë dhe kjo bëri që në stadium të shfaqeshin pankarta të ndryshme në shenjë proteste, ndërkohë që rreth 10 mijë tifozë të pranishëm braktisën shkallët e stadiumit përpara se të përfundonte kjo sfidë.

Ky largim i tifozëve pati ndikim edhe të skuadra në fushën e lojës, që e pa veten të humbasë avantazhin ndaj Sunderland duke barazuar me rezultatin 2-2. Pas 4 ditësh, drejtuesit e “The Reds” vendosën të bëjnë një prapakthehu në vendimin e tyre dhe të pezullojnë rritjen e çmimit të biletave, gjë që e bënë të ditur nëpërmjet një komunikkate për shtyp në faqen e internetit.

“Të dashur tifozë të Liverpulit. Kjo ishte një javë e vështirë. Në emër të Fenway Sports Group dhe të klubit ju kërkojmë ndjesë për këtë shqetësim që iu shkaktuam me planin e rritjes së çmimit të biletave për sezonin 2016/2017. Duket sikur nuk jemi të interesuar për tifozët dhe kërkojmë vetëm përfitime personale në emër të Liverpulit, por kjo nuk është e vërtetë. Ne shpenzojmë shumë për të përforcuar skuadrën dhe për të përmirësuar infrastrukturën. Kur morëm vendimin për biletat, morëm parasysh shumë faktorë, siç është hyrja për tifozët lokalë dhe ata më të rinj dhe jemi të zhgënjyer që kjo nuk është marrë parasysh”, lexohet në komunikatën e drejtuesve të klubit anglez.

Në fund të komunikatës, drejtuesit e Liverpulit bënë të ditur se çmimi më i lartë i biletës për ndeshjet e Liverpulit do të mbetet 59 paundë.

Top Channel