Kupa e Gjermanisë, Bayern e Hertha në gjysmëfinale

10/02/2016 00:00

Bayern Munich dhe Hertha Berlin kanë arritur të sigurojnë nga një biletë për në gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë, duke iu bashkuar kështu skuadrës së Dortmundit dhe Bremenit të cilat siguruan kualifikimin të martën në mbrëmje.

Skuadra e Guardiolas fitoi në transfertë ndaj skuadrës së Bundesligës 2, Bochum e cila që nga minuta e 43 mbeti edhe me një lojtar më pak në fushë.

Pep kishte hedhur në fushë formacionin më të mirë, megjithatë goli i parë erdhi vetëm në minutën e 39-të, ku Lewandowski shënoi për 0-1. Thomas Muller kishte mundësinë të dyfishonte epërsinë, por gaboi nga pika e bardhë e 11-metërisht, pasi më parë Simunek bëri një ndërhyrje në zonë ndaj Roben për të cilin u ndëshkua edhe me të kuq.

Bavarezët i mbyllën llogaritë në të 61-n me golin e Thiago Alcantaras, i asistuar nga i zakonshmi Muller, ndërsa në minutën e fundit të kohës së rregullt Robert Lewandowski me golin e dytë personal vulosi fitoren 0-3 të Bayernit.

Një sfidë mjaft interesante u zhvillua në stadiumin “Voith Arena”, mes Heidenheimit dhe Herthës së Berlinit, që përfundoi me rezultatin 2-3. Vendasit shënuan të parët me Feick në minutën e 10, mirëpo avantazhi i formacionit të Frank Schmidt zgjati vetëm pak çaste pasi në të 14-n Ibisevic vuri baraspeshën.

Sulmuesi boshnjak shënoi golin e dytë personal në të 21-n, ndërsa në fillim të pjesës së dytë Haraguchi i çoi shifrat në 1-3. Heidenheimi arriti ta shkurtonte diferencën në të 82-ën me Schnaterer.

Top Channel