Durrës, ekzekutohet me armë zjarri 42-vjeçari; baba i dy fëmijëve

10/02/2016 20:15

Një 42-vjeçar, baba i dy fëmijëve, është ekzekutuar me armë zjarri në fshatin Fllakë të Durrësit, vetëm pak kohë pas kthimit nga Anglia.

Viktima, i identifikuar nga policia si shtetasi Xhevahir Brasha, nga Hasi dhe me banim në Fllakë të Durrësit, u gjet i plagosur nga familjarët e tij mbrëmjen e së mërkurës, në hyrje të shtëpisë së tij, pranë mbikalimit të fshatit.

Familjarët e kanë dërguar në spitalin e Durrësit, prej nga bëhet e ditur se ai ka mbërritur pa jetë për shkak të plagëve të rënda në trup. Në spital, viktimën e kanë regjistruar me emrin Agim Cakaj, ashtu si e njohin familjarët, emër që më pas e ka ndryshuar.

Përveç konflikteve të mundshme pas kthimit në atdhe, dyshohet se vrasja e tij ka lidhje me përfshirjen në ndonjë veprimtari kriminale gjatë qëndrimit në Angli.

Forca të shumta policie kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ndërsa në funksion të zbardhjes së vrasjes janë shoqëruar në ambjentet e policisë disa persona.

Top Channel