Pas 52 vitesh, artistja Lumturije Dhrami ekspozon për herë të parë në Galerinë Kombëtare, punimet e saj retrospektive.

Janë 81 vepra të realizuara nga viti 1962 deri në 1986-n, të cilat sjellin aromën e viteve të shkollës, ato të akademisë në Varshavë, kompozime grafike monumentale, ciklin ‘Grafikë nga Gjirokastra’, nudo të ndryshme dhe disa piktura, pjesë të rëndësishme të krijimtarisë së saj, si e para artiste grafiste e diplomuar në këtë fushë në Shqipëri.

E njohur më së shumti për punën 30-vjeçare si grafiste në revistën  “Shqipëria e re”, Lumturije Dhrami shquhet për stilin e saj të veçantë, lirshmërinë, fuqinë artistike dhe rëndësinë që i jep formës në vepër.

“Është një artiste delikate, mjaft interesante në mënyrën sesi e koncepton grafikën, pasi në një nga shkollat më të mira, siç është Akademia polake, në gjininë e grafikës por edhe në pikturë ishte më ndryshe sesa Akademia e Leningradit, ishin më të lirshëm. Nuk ekziston portreti fare, ka vetëm qëndrimin e dy figurave, emocionin që ato japin, mënyra si kompozohet, ndërsa as hundë e as buzë nuk i kemi. Pra ka kapur emocionin e lëvizjes së figurave”, është shprehur Ylli Drishti, kurator i ekspozitës.

Top Channel