Kupa e Gjermanisë, Dortmund e Bremen në gjysmëfinale

09/02/2016 00:00

Dortmund e Werder Bremen prenë biletën për në gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë pasi arritën fitore në transfertë ndaj kundërshtarëve respektivë, Stuttgart e Bayer Leverkusen.

Formacioni i Thomas Tuchel arriti një fitore të lehtë 1-3 në “Mercedes Benz Arena”, duke shënuar që në minutën e pestë me Marco Reus. Vendasi arritën të barazojnë në të 21-n me Lucap Rupp, por gëzimi i tyre nuk zgjati shumë.

Sulmuesi më në formë Aubameyang gjeti rrjetën në minutën e 30-të, ndërsa Dortmund siguroi kualifikimin në minutën e fundit të kohës së rregullt me Mkhitarian që vulosi shifrat në 1-3.

Me të njëjtin rezultat, 1-3, fitoi edhe Bremen përballë Leverkusen. Vendasit kaluan në epërsi të parët me Chichariton që nuk gaboi nga pika e bardhë e 11-metërshit në minutën e 22-të.

Mbrojtësi argjentinas, Santiago Garcia risolli ekulibrin në minutën e 31, ndërsa gjërat u komplikuan për Leverkusen kur gjyqtari i tregon të kuqin mbrojtësit Wendell i cili shkaktoi një faull ndaj Fin Bartels dhe duke shkaktuar një penallti. Pizaroo nuk gabon dhe 1-2.

Të zotët e shtëpisë u hodhën përpara në kërkim të barazimit në pjesën e dytë, por Bremen shënoi dhe golin e tretë me mesfushorin austriak Florian Grillitsch për të siguruar një vend mes katër më të mirave të Kupës.

Top Channel