Italia në Euro 2016, pa Pirlon nuk ka festë

09/02/2016 00:00

Është ngjarja më e madhe e futbollit për vitin 2016, por nëse nuk do të jetë Andrea Pirlo nuk do të ketë festë!

Kjo është ajo që me siguri mendojnë tifozët, sidomos ata italianë e amerikanë, nëse do të mungojë në një ngjarje të tillë mesfushori i jashtëzakonshëm.

Megjithatë, 36-vjeçari duhet të bindë trajnerin e Italisë, Antonio Conte,  se ai është i denjë për një vend në finalet e Kampionatit Europian të futbollit që do të zhvillohet këtë verë në Francë, pas largimit nga Serie A vitin e kaluar për të luajtur për New York City në MLS.

“Përfshirja në mesin e lojtarët që do të përfaqësojnë Italinë në Francë 2016 është një nga objektivat e mia. Megjithatë, gjithçka varet nga ajo që unë do të tregojë në fushën e lojës këtu. Unë do të bëj gjithçka mundem, por të shohim si do të shkojnë gjërat deri atëherë”, ka thë ish-lojatri i Milanit e Juventusit.

Pirlo është një nga lojtarët më të njohur në planet dhe një nga më të suksesshëmit italian. Ai është aktivizuar në 116 ndeshje me kombëtaren, lojtari i katërt me më shumë ndeshje me të kaltrit. Ai ishte edhe në mesin e lojtarëve që e shpallën Italinë kampione të Botës në vitin 2006 në Gjermani. 

Pas një karriere tejet të suksesshme me Milanin dhe Juventusin në Serie A, me të cilët ai ka arritur të fitojë 6 kampionate, si dhe dy herë Champions-in, Pirlo vendosi të shkojë përtej Atlantikut në korrikun e kaluar. 

Pjesë e ekipit ku aktivizohet italiani janë edhe disa lojtarë të tjerë me mjaft emër, si David Villa, ish-sulmuesi i Barcelonës, dhe Frank Lampard.

Pirlo ka thënë se ka mbetur i habitur me cilësinë dhe nivelin në MLS dhe shpreson se edhe lojtarë të tjerë të mëdhenj në Europë të ndjekin hapat e tij.

“E kisha menduar ndryshe, por është shumë më mirë. Ka shumë lojtarë të fortë fizikisht dhe kjo është një bazë shumë e mirë. Unë mendoj se kjo mund të jetë një nxitje për të sjellë edhe lojtarë të tjerë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Ekipi ku aktivizohet mesfushori i njohur italian, New York City, do ta nisë garën e tij në MLS kundër Chicago Fire më 6 mars.

Top Channel