“Kumanova”, mohohen akuzat. Avokati: Rast i montuar, do të zbulojmë emrat

09/02/2016 00:00

Në seancën gjyqësore për rastin e “Kumanovës”, të gjithë të akuzuarit kanë thënë se nuk ndihen fajtorë për veprat penale të “terrorizmit” dhe “pjesëmarrjes në organizatë terroriste”, me të cilat i ngarkon Prokuroria Publike në Shkup.

Prokurori Naum Panovski, duke lexuar aktakuzën tha se, posedon prova, me të cilat do të dëshmojë gjatë procesit se, të akuzuarit e kanë kryer veprën me paramendim. Ai tha gjithashtu se, grupin e armatosur e kanë udhëhequr shtetasit e Kosovës të përfshirë në incident, ndërsa me mjete logjistike kanë kontribuuar disa shtetas të Maqedonisë.

Në akuzë thuhet se, pjesëtarët e grupit të armatosur, para incidentit në “Lagjen e Trimave” kanë sulmuar Postën Policore në fshatin Goshincë, në kufi me Kosovën, ndërsa më 9 maj në Kumanovë kanë hapur zjarr ndaj pjesëtarëve të policisë, të cilët kishin nisur një aksion për arrestimin e të dyshuarve për sulmin në Goshincë.

Por, pjesëtarët e grupit të armatosur kanë mohuar akuzën për terrorizëm, ndërsa një pjesë e tyre thanë se nuk kanë qenë asnjëherë në fshatin Goshincë.

Avokati Naser Raufi deklaroi se, pjesëtarët e grupit nuk mund të akuzohen për terrorizëm, pasi është i bindur se rasti i “Kumanovës” është i kurdisur për të shpërqëndruar vëmendjen e qytetarëve nga skandali i përgjimeve. Ai u zotua se, gjatë procesit gjyqësor do t’i zbulojë emrat e atyre që kanë montuar këtë rast.

“Jam i sigurtë se, arsyeja e këtij rasti ka qenë fokusimi i opinionit, pasi edhe intervali kohor përputhet. Ngjarjet kanë filluar nga muaji i parë i vitit të kaluar dhe përputhet edhe me ‘bombat’ e kreut të opozitës”, tha Naser Raufi, avokat.

Në fillim të seancës, Avokati Naser Raufi kërkoi që lënda t’i kalojë Prokurorisë Speciale, por kërkesa e tij nuk u pranua nga Këshilli Gjyqësor. Seanca e radhës për rastin e “Kumanovës” do të mbahet ditën e enjte.

Top Channel