Kosovë, bllokohen tekstet serbe në kufi. Reciprocitet për librat drejt Preshevës

09/02/2016 00:00

Tekstet shkollore, që qeveria kosovare ka dhuruar për nxënësit e Luginës së Preshevës, mbeten ende të bllokuara nga autoritetet serbe.

“Sipas prononcimeve të autoriteteve të Serbisë, në nivel delegacionesh në Bruksel, është premtuar se kjo është çështje javësh, e gjithsesi ende nuk ka ndodhur. Pastaj, edhe pas përpjekjeve të tjera të ministrit Bajrami, përmes zyrës ndërlidhëse dhe ambasadave, sërish është premtuar nga autoritetet serbe se do të tejkalohet kjo çështje, por deri më tani nuk ka ndodhur”, tha Azem Guri, këshilltar i ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Si masë reciproke, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami i ka dërguar një vendim pikave doganore me Serbinë, me anë të të cilit nuk lejohet asnjë libër serb të futet në Kosovë.

Shqetësimi i shkollimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe mungesa e librave u diskutuan në një tryezë të organizuar në Prishtinë, nga Lëvizja Vetëvendosje, me përfaqësues nga Lugina e Preshevës.

“Mbi 100 mijë tekste kanë shkuar tashmë në Serbi dhe ato nuk lejohen të shfrytëzohen nga nxënësit, ndërkohë që në Kosovë, nxënësit serbë e shfrytëzojnë literaturën serbe sipas planprogrameve të Serbisë, ku shqiptarët për ata konsiderohen armiq të Serbisë, terroristë e kështu me radhë”, tha Ismail Kurteshi, anëtar i Komisionit parlamentar për Arsimin, përfaqësues i VV-së.

“Te shqiptarët në Luginën e Preshevës është diçka krejtësisht tjetër. Nuk mund të punësohet asnjë shqiptar me diplomë nga Universiteti i Prishtinës apo universitete të tjera kosovare, po qe se nuk e ka diplomën të legalizuar edhe atje, ku është kompetencë ekskluzive e administrimit lokal, apo edhe në vet administratën lokale. Pra, ekziston një dallim i madh i realizimit të të drejtave”, tha Shaip Kamberi, përfaqësues i shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Dy ministrat e Arsimit të Kosovës dhe Serbisë kishin rënë dakord në Bruksel, që këto tekste të futeshin në Serbi dhe, në këmbim, Kosova të lejonte tekstet serbe në zonat ku shkollohet komuniteti serb.

Top Channel