UEFA ka filluar njoftimet për fituesit dhe jo fituesit e biletave, për ndeshjet e Shqipërisë dhe jo vetëm, në finalet e Europianit 2016 që do të zhvillohen në Francë.
Nëpërmjet një konfirmimi të tillë në “e-mail”, por edhe me SMS, organi më i lartë i futbollit europian ka njoftuar këdo për pranimin në fazën fillestare të kërkesës.
Sigurisht ka pasur edhe refuzime, të cilat kanë gjithsesi një mundësi deri në fazën përfundimtare të përzgjedhjes.
Procesi i përzgjedhjes së fituesve të biletave është kryer mbi bazën e një lotarie, duke qenë se vetëm kërkesat e tifozerisë shqiptare për përfaqësuesen tonë janë të paktën dyfish, gjë që do të thotë se, përfiton biletë vetëm një në dy aplikues.
Në dispozicion për 3 ndeshjet në grup të kuqezinjve kanë qenë 26,806 bileta të 4 kategorive të ndryshme, që variojnë në çmime nga 25 deri në 145 euro (respektivisht 25 më e lira, 55 euro, 105 euro dhe 145 më e shtrenjta) për secilën ndeshje, ndërsa kërkesat kanë qenë mbi 57 mijë.
Kjo është faza e parë e përzgjedhjes, ndërsa më pas do të bëhet verifikimi i gjendjes së parave në kartat e kreditit, e në fund bëhet shpërndarja e biletave me postë.
Top Channel