Qerimaj “izolohet” në Tiranë, nuk i bashkohet kombëtares në Shtërmen

08/02/2016 00:00

Për 2 muaj me radhë, Kombëtarja shqiptare e Peshëngritjes, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë në Europianin e Norvegjisë, do të stërvitet në Shtërmen.

Arsyeja për këtë vendim të drejtuesve të Federatës është paksa i çuditshëm.

“Palestra është shumë komode dhe ushqimi është bio”, shprehet Leonard Toska, trajneri i ekipit Kombëtar.

I vetmi sportist elitar që nuk i është bashkuar të tjerëve në këtë grumbullim është kampioni i Europës, Erkand Qerimaj. Trajneri i ekipit kombëtar Toska nuk është në gjendje të tregojë arsyet e mungesës së Qerimajt, ndërkohë që vetë shkodrani nxjerr si justifikimi shkollën.

“Në 2014 kur jam shpallur kampion i Europës jam stërvitur këtu, në Tiranë, pastaj kam edhe disa provime pasuniversitare, të cilat duhet t’i mbarojë. Ndihem mirë këtu”, thotë Qerimaj.

Trajneri personal i tij, Zef Kovaçi nuk tregohet kaq diplomatik sa kampioni i Europës.

“Jemi mësuar këtu, me kushte më të mira. Në Tiranë jemi. Nuk kam asgjë kundër Shtërmenit, atje punohet”, shprehet trajneri i Erkandit.

“Federata nuk na ka marrë mendim. Na kanë thënë të stërvitemi ku të ndihemi më mirë”, thotë peshëngritësi.

Kjo nuk është hera e parë që Qerimaj dhe trajneri i tij Zef Kovaçi nuk i bashkohen grumbullimit të Kombëtares së Peshëngritjes.

Dy vjet më parë ata zgjodhën Bjeshkët e Kosovës për t’u përgatitur për Botërorin e Kazakistanit, ndërkohë që grupi tjetër që pas Botërorit rezultoi pozitiv në testin antidoping u stërvitën në Greqi.

“Këto janë strategjitë tonë”, thotë Erkandi.

Top Channel