Cirku “Belluci” në Tiranë

08/02/2016 00:00

Një tur dymujor në Shqipëri ka sjellë këto ditë në Tiranë një ndër kompanitë e njohura të cirkut në Itali.

Falë një bashkëpunimi me Bashkinë e Tiranës, cirku roman “Belluci”, i themeluar që në 1920-n ka hapur siparin e shfaqjeve me premierën në kryeqytet.

Interesimit të madh të spektatorit shqiptar, cirku me eksperiencë 100-vjeçare i është përgjigjur me një spektakël që do të shfaqet dy herë në ditë. Për dy orë një trupë profesioniste prej 70 artistësh, sjell traditën më të mirë të cirkut me iluzionistë, numra shpejtësie suspancë, kafshët ekzotike, hedhje të njeriut me top dhe akrobacira që shfaqin një profil ndryshe dhe larg cirkut tradicional shqiptar.

“Ju e dini, edhe në punët e bashkisë gjithmonë kemi preferuar gjërat e para që kanë në fokus fëmijët, me çerdhet me kopshtet. Unë e di që Tirana nuk bëhet në një ditë, me gjasa as në një vit as në një mandat, por ideja është që me çdo mundësi që na jepet ne t’i kushtojmë më shumë hapësira fëmijëve”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Veliaj. 

Këtë shfaqje të parë, Veliaj e ndoqi bashkë me 40 fëmijë të shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli”.

Top Channel