Skënderbeu mposht Kukësin, Tirana fiton në Laç

07/02/2016 16:30

Skënderbeu i është rikthyer fitoreve në Superiore, duke mposhtur 3-1 në javën e 20 Kukësin në Korçë.

Ekipi i drejtuar nga Josa vuajti një javë më parë në Shkodër në fazën sulmuese, duke krijuar shumë pak në portën kundërshtare, ndërsa me ardhjen e James nga Laçi, Skënderbeu është rikthyer edhe një herë i frikshëm në sulm.

Pikëshit, Salihi dhe James ishin dy protagonistët e këtij  takimi. Nigeriani i mjaftuan vetëm 10 minuta me fanellën e Skënderbeut për të dhënë asistin e parë, të cilin Salihi nuk e pati të vështirë ta kthente në gol. Në fundin e pjesës së parë, ishte radha e James për të shënuar golin e parë me ekipin e ri dhe të dytin në këtë takim.

Skënderbeu shkon në avantazh të dyfishtë në dhomat e zhveshjes nga ku kthehet një tjetër Kukës që ka rastin për të shënuar në minutën e 52, por Karioka shpërdoron i vetëm para porte. Gjithsesi mundi i verilindorëve shpërblehet në të 58 kur Dvorenkovic përfiton pas një grushtimi të Shehit në goditjen e Eminit për të ngushtuar distancat.

Kukësi kërkon të barazojë dhe luan mirë, por janë sërish vendësit dhe sërish Salihi që e vulos rezultatin në 3-1, duke realizuar pas një asisti nga Latifi.

Në fund edhe një karton i kuq. Radas ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë duke e përfunduar ndeshjen para se arbitri të sinjalizojë fundin e takimit.

Megjithatë, Skënderbeu ka siguruar 3 pikë të rëndësishme në garën për titull, duke udhëhequr i vetëm renditjen me 46 pikë, dy më shumë se Partizani i vendit të dytë.

Një fitore shumë të rëndësishme ka arritur edhe Tirana në Laç duke mundur vendasit 3-0, një sukses ky që thyen tabunë e bardhebluve, të cilët nuk fitonin prej 4 vitesh me kurbinasit në fushën e tyre. Të tre golat janë shënuar në pjesën e dytë.

Bakaj mendon për të zhbllokuar ndeshjen pas një goditje perfekte standarde, ndërkohë që Muzaka shënon golin e dytë pesë minuta më vonë. Për të çuar shifrat në 3-0 mendon braziliani Hugo Almeida i bardhebluve, i cili debutoi sot me ta.

Me këtë fitore Tirana mban vendin e tretë në kuotën e 35 pikëve, ndërsa Laçi zbret në të 6-tin.

Edhe Teuta ka rigjetur fitoren në këtë javë të 20-të të Superiores. “Djemtë e detit” kanë fituar minimalisht 1-0 në “Niko Dovana” në Durrës përball skuadrës së Cungut. Goli i vetëm i takimit u shënua nga sulmuesi brazilian i ardhur në merkaton e janarit Xhonatan. Me tri pikët e kësaj ndeshjeje Teuta ngjitet në vendin e katërt, dy më pak se Tirana.

Top Channel