Inarritu fiton çmimin e DGA-së

07/02/2016 00:00

Alejandro Inarritu fitoi çmimin e madh të shoqatës së regjisorëve “Directors Guild of America” (DGA), për filmin e tij “the Revenant”, duke i rritur edhe më shumë mundësitë e një triumfi në ceremoninë e ndarjes së çmimeve më prestigjioze të kinematografisë, “Oscar”.

Historia e jashtëzakonshme e mbijetesës, frymëzuar nga një personazh real, kryeson garën e “Oscar”-ëve me 12 nominime, përfshirë këtu atë të regjisorit më të mirë.

Ajo e të qenit favorit i “DGA”-së është një luftë e ashpër, ndaj dhe shpërblimi i marrë për realizimin e jashtëzakonshëm të filmit të tij të fundit, e bën Inarritunë të parin regjisor meksikan, që nderohet kësisoj nga shoqata elitare, vlerësimi i së cilës shpeshherë profetizon se kush është regjisori, që do të çojë në shtëpi statuetën e artë të “Oscar”-it.

“The Revenant”, me aktor kryesor Leonardo DiCaprion, tregon historinë e eksploruesit të shekullit të XIX, Hugh Glass, i cili sulmohet nga një ari dhe lihet të vdesë nga shokët e grupit të tij të gjuetisë.

Për t’i dhënë një ndjenjë autenticiteti, filmi u xhirua në mënyrë kronologjike, duke përdorur vetëm dritë natyrore, si rrezet e diellit apo dritën e zjarrit.

52-vjeçari Inarritu thotë se, duke mos përdorur efektet speciale, produkti përfundimtar është një pasqyrim i kinematografisë autentike dhe një mundësi, që shikuesi të përjetojë natyrën e vërtetë.

Top Channel