Athinë, takim trepalësh Gjermani-Francë-Greqi për refugjatët

06/02/2016 17:50

Ministrat e Brendshëm të Francës dhe Gjermanisë, që kanë vizituar Greqinë, i kanë kërkuar Athinës të përfundojë sa më shpejt ngritjen e pikave të hyrjes, regjistrimit dhe identifikimit të emigrantëve në ishujt grekë, të ashtuquajturat hotspots.

Nga ana tjetër, ata kanë arritur në përfundimin se duhet ndalur fluksi i madh i refugjatëve nga Turqia, në mënyrë që të shpëtohet zona Schnegen dhe funksionimi ligjor i saj në vendet e BE-së.

“Nuk duam të rrezikojnë Schengenin dhe për këtë arsye kemi nevojë për një zgjidhje europiane, në mënyrë që çdo gjë që kemi ndërtuar gjatë dekadave të fundit të mos e shkatërrojmë në vetëm një vit”, deklaroi ministri gjerman Thomas de Maiziere.

“Nëse Europa nuk është në gjendje të zbatojë shpejtë angazhimet e saj, siç është përcaktuar në axhendën qe kam përmendur, atëherë do të jetë një pengesë mbi Schengenin dhe organizimin e BE-së, të cilën ne duam ta shmangin me çdo kusht. Kjo është arsyeja pse ne jemi pranë partnerëve tanë grekë”, tha francezi Bernard Cazeneuve.

Ndërsa kryeministri Tsipras, nga ana e tij ripërsëriti se Greqia do t’i mbajë premtimet e saj, por kërkon mbështetje më të madhe nga BE, pasi po mban një peshë shumë të madhe, teksa çdo ditë vdesin njerëz në Egje.

“Unë mendoj se nuk është e drejtë të besosh se kjo është diçka që ka ndodhur dhe ne nuk mund të bëjmë asgjë për ta ndaluar atë”, tha Tsipras.

Pas paralajmërimeve të KE ndaj Athinës, për të të bërë më shumë në kontrollin e fluksit të emigrantëve, ministri i Brendshëm gjerman deklaroi se Berlini do të dërgojë 100 oficerë policie dhe dy anije të rojës bregdetare për të ndihmuar Greqinë në patrullimin e detit Egje.

Ndërkohë, 5.500 refugjatë vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuar në kufirin greko-maqedonas për arsye të punës së ngadaltë dhe mbylljeve të shpeshta të kufirit.

Ndërsa rreth 2.000 të tjerë kanë mbetur në portin e Pireut për shkak të protestës së fermerëve që kanë bllokuar për 24 orë të gjitha rrugët e Greqisë.

Top Channel