Gjermani, gjen një shufër ari në liqen, policia ia ‘dhuron’

06/02/2016 00:00

Një shufër ari, rreth 500 gramë, është gjetur në një liqen në Bavari nga një notare 16-vjeçare 6-muaj më parë. Prindërit e vajzës e dorëzuan në polici, por pronari nuk u gjet dhe tashmë vajza mund ta mbajë arin me vlerë rreth 15 mijë euro.

E mitura, emri i të cilës nuk bëhet me dije, thuhet se ishte duke notuar në një liqen, kur u tërhoq nga një dritë e fortë. Sigurisht që 16-vjeçarja priste diçka të çmuar, por jo një shufër ari që peshonte 500 gram.

Menjëherë pas këtij zbulimi u ngritën dyshime për se në liqen mund të ishte një thesar i lënë nga nazistët.

Në liqen u dërguan zhytës nga policia, pasi vajza ishte raportuar zbulimin, por nuk është gjetur asnjë gjë tjetër me vlerë.

Për 6 muaj me radhë shufra e arit qëndroi në polici dhe në mungesë të pronarit, i cili nuk u gjet gjatë kësaj periudhe, policia vendosi t’ia dhurojë atë vajzës, e cila e kishte gjetur.

“Mund ta mbajë ajo, vlen rreth 15 mijë euro”, tha komisari Gunther Adolf nga Berchtesgaden i Bavarisë , duke shtuar se identiteti i vajzës është anonim.

Top Channel