Supermerkatoja shqiptare, faza e dytë filloi pas 166 lëvizjesh lojtarësh

05/02/2016 00:00

Kategoria Superiore shqiptare filloi nga e para në javën e fundit të janarit, për dy fazat e mbetura.

Mjafton të kujtosh që kanë qarkulluar 166 lojtarë në këtë merkato dimri, për të kuptuar se çfarë ndodh në një kampionat dhe sa i qëndrueshëm është, jo vetëm financiarisht, por tashmë edhe teknikisht.

10 skuadra, të cilat shkëmbejnë një numër të tillë lojtarësh, nuk ndodh në asnjë vend të Europës.

Superiorja shqiptare është në vendin e parë për këtë statistikë duke lënë pas edhe “Serie A”, e cila me 20 skuadra numëron 160 lëvizje; sikurse “Premier League”-n me 20 skuadra, që ka qarkulluar 153 lojtarë, por edhe “La Liga”-n në Spanjë, me të njëjtin numër skuadrash që kanë lëvizur 93 lojtarë. Kampionati me më pak lëvizje mbetet “Bundesliga” gjermane, me 18 ekipe dhe vetëm 64 lëvizje në merkaton e dimrit.

Por, ajo që të bie më tepër në sy, në qarkullimin e lojtarëve në kampionatin shqiptar, është fakti se më shumë se 1/3-ta janë lojtarë të huaj, saktësisht 62 futbollistë, apo 37.3%. Ndërkohë që thuajse asnjë nga akademitë, apo të rinjtë e ekipeve zinxhirë. Një statistikë që zbeh çdo optimist se, një ditë përfaqësuesja shqiptare, që merr pjesë në Europianin e Francës këtë vit, do të ketë bazat në kampionatin vendas.

U deshën dy faza për të kuptuar se ishte bërë gabim gjithçka, e duhej ribërë gjithçka nga e para. Kjo ndodh në merkaton e dimrit, që quhet ndryshe merkato “e vogël”, apo ajo e “arnimeve”, për një kampionat që mbetet ende i izoluar nga merkatoja ndërkombëtare.

Zero është numri i lojtarëve vendas që janë larguar nga Superiorja, pavarësisht trumpetimeve të mëdha që iu bë vitin e shkuar futbollit shqiptar, me Skënderbeun në kupat e Europës, apo me përfaqësuesen e kualifikuar në finalet e Europianit. Duket se fati i përfaqësueseve tona, edhe për shumë kohë do të mbetet nga Perëndimi dhe nga “qielli”, për lojtarët e rritur jashtë dhe për ndihmën nga Zoti.

Top Channel