Provokimi me nudon, “luftëtarja e ISIS” shkakton reagime të forta publike

04/02/2016 00:00

Provokimi titullohet “Katarsis”. Sikur të mos kish qenë kjo pikturë, mbase “Ekspo Art Tirana”, ekspozita e titulluar “Realizëm ndryshe” e çelur këto ditë në Muzeun Kombëtar, nuk do të kish shkaktuar kaq shumë zhurmë, pavarësisht punimeve të 19 artistëve që trajtojnë nudo dhe problematika të ditës.

Meri File është artistja që ka shkaktuar një furtunë komentesh, sidomos në rrjetet sociale, me këtë tablo, ku paraqitet një nudo e armatosur, që vetëm fytyrën ka të mbuluar me perçe. Meri, piktorja 27-vjeçare, ka lexuar shumëçka për veprën e saj, që tanimë e kanë pagëzuar si femra e mijëvjeçarit të ri, luftëtarja e ISIS, apo paragjykimi ndaj femrave muslimane, ndërsa vet autorja thotë se, Veli është thjeshtë ferexheja që çdo njeri ka në mendjen e vet.

Për “Katarsisin” niset nga Aristoteli, ndërsa shpjegon se ndrydhja e emocioneve të brendshme, që mandej kalon në çrregullim psikologjik, lidhet me pikëpamjet e Frojdit.

“Brenda një truri njerëzor ekziston një njeri i brendshëm, një un i brendshëm qoftë negativ apo pozitiv. Në këtë rast unë e kam përcjellë negativ, që do të thotë një kamikaz që të shqyen, të vret, të sakatos dhe që mundohet të dalë nga kornizat, nga ai mur, që në këtë rast e kam kthyer në ferexhe. Absolutisht nuk ka të bëjë me ISIS-in, as nuk kam goditur çështjen islame. Përkundrazi, unë jam vet muslimane”, tha piktorja Meri File.

Top Channel