Kosovë, Prokuroria apelon çështjen ndaj ish-kreut të Kushtetueses

04/02/2016 00:00

Prokuroria Speciale e Kosovës ka depozituar një ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore, e cila ka vlerësuar se nuk mund të ngrihet padi ndaj ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese për periudhën e punës, pasi për atë ka imunitet.

Sipas ankesës së Prokurorisë Speciale, ish-kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani nuk ka vepruar brenda fushës së përgjegjësive, si gjykatës dhe kryetar i Gjykatës Kushtetuese, për të cilat gëzon imunitet funksional, por ka ndërmarrë veprime, me të cilat ka dalë jashtë funksionit të vet, duke e keqpërdorur detyrën dhe autorizimet, të cilat i janë besuar me ligj dhe me Kushtetutë.

Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës së Apelit të aprovojë ankesën dhe të anulojë aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, si dhe të konstatojë se, në rastin konkret, i pandehuri Enver Hasani nuk gëzon imunitet funksional.

Top Channel