Mungesa e perspektivës në vend po e shton gjithnjë e më shumë numrin e të rinjve, që largohen nga Maqedonia sapo përfundojnë shkollimin e lartë.

Në kërkim të një jete më të mirë jashtë vendit, nga Maqedonia janë larguar shumë mjekë dhe të rinj të papunë, të profileve të ndryshme. Për të përcaktuar numrin e saktë të tyre është angazhuar Qendra Europiane për Nisma në Shkup, e cila po kryen një hulumtim të hollësishëm rreth shkaqeve për emigrimin e të rinjve.

“Ka shumë mjekë që ikin nga vendi. Ka shumë të rinj, që pasi kanë përfunduar Fakultetin e Mjekësisë janë larguar, dhe kjo është tragjike. Po ashtu, ka edhe shumë studentë që përfundojnë fakultetet teknike dhe janë të aftë për punë, por ikin jashtë. Shifrat konkrete do t’i publikojmë pasi të kryejmë hulumtimin”, tha Hristijan Konevski, kryetar i Qendrës për Nisma Europiane.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Punësimit në Maqedoni, rreth 40% i numrit të përgjithshëm të atyre që kërkojnë punë janë persona deri në 30 vjeç, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve e kanë kryer shkollimin e lartë.

“37 për qind e personave, që kërkojnë punë në mënyrë aktive te ne, janë të rinj rreth moshës 29-vjeçare. Pra, nga 112 mijë gjithsej të paraqitur, 37 për qind janë të rinj. 16 për qind e tyre e kanë kryer shkollimin e lartë, kurse të tjerët arsimin e mesëm”, tha Vlatko Popovski, drejtor i Agjencisë për Punësim në Maqedoni.

Analistët në Maqedoni vlerësojnë se, shkaqet që detyrojnë të rinjtë të braktisin vendin pasi kryejnë shkollimin, janë pamundësia për të gjetur punë apo standardi i ulët i jetesës. Ata thonë se, ky është një problem serioz për vendin dhe i sugjerojnë qeverisë të ndërmarrë masa urgjente për parandalimin e këtij fenomeni.

Top Channel