Kosovë, shtohen rastet e të prekurve me kancer

04/02/2016 00:00

Në Institutin Onkologjik të Kosovës, brenda vitit 2015 janë pranuar 808 raste të reja, të diagnostikuara me kancer.

E ndërsa rrjetet sociale janë mbushur me fushata bamirësie, për pacientë që kërkojnë ndihmë financiare për t’u kuruar jashtë vendit, nga ky institut janë lëshuar vetëm 4 raporte për trajtim në spitale të huaja, për shkak të mungesës së një aparature për radioterapi specifike.

Drejtori i Institutit Onkologjik tha se, pas dy muajve pritet një përgjigje konkrete lidhur me këtë aparaturë, për sigurimin e së cilës është zotuar se do të angazhohet Presidentja, Atifete Jahjaga.

Hapësira e vogël është një problem tjetër, pasi numri i pacientëve që i nënshtrohen kimioterapisë në Onkologji është nga 100-200 brenda ditës dhe – sipas tyre, – të gjitha shërbimet kryhen pa pagesë.

“Nuk kam ndonjë vërejtje. Kam ardhur 7 herë, barnat na i sjellin pa parà, na japin pa parà edhe shërbimin. Nuk kam parë nëse dikush merr parà (ryshfet) këtu”, tha Sejdi Dauti, pacient.

Në një konferencë për shtyp, në Ditën botërore të luftës kundër Kancerit, ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani pohoi se, nevojat për kimioterapi janë shumë të mëdha sesa mundësitë që ka Kosova, por – sipas tij, – janë shënuar rezultate inkurajuese në aspektin e mjekimit.

“Mund të themi se, në klinikën e Onkologjisë ofrohen shërbime nga 14 specialistë, 6 fizikantë dhe 24 infermierë për 70-80 raste në radioterapi brenda ditës, si dhe 100-200 raste në kimioterapi. Gjithashtu kemi pasur përparim të madh në furnizimin me materiale dhe barna, që ka arritur deri në 95% të nevojave të pacientëve me kimioterapi”, tha Imet Rrahmani, ministër i Shëndetësisë.

Ndërkohë, statistikat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se, në rang vendi, gjatë vitit 2014 u regjistruan 2989 raste të reja me sëmundje kancerogjene.

Top Channel