Renditja e FIFA-s, kombëtarja ngjitet në vendin e 36

04/02/2016 11:50

Kombëtarja shqiptare fiton dy pozicione në renditjen e FIFA-s për këtë muaj. Edhe pse pa zhvilluar asnjë ndeshje, skuadra kuqezi e Gianni De Biasit e sheh veten në vendin e 36 në këtë klasifikim të qeverisë së futbollit botëror, në kuotën e 746 pikëve.

Skuadra shqiptare këtë radhë u favorizua në fitimin e këtyre pozicioneve nga humbjet e pikëve të disa skuadrave të tjera, që një muaj më parë ndodheshin sipër saj.

Përsa u përket kryesuesve, edhe këtë muaj nuk ka asnjë ndryshim. Belgjika vazhdon që të ruajë vendin e parë me 1494 pikë, e ndjekur nga Argjentina në vendin e dytë dhe Spanja në të tretin. Klasifikimi vijon me skuadrën kampione të botës, Gjermaninë në vendin e katërt dhe Kilin në të pestin.

Austria, me të cilën kombëtarja jonë do të luajë miqësore në 26 mars është në vendin e 10 në klasifikimin e FIFA-s, duke lënë disa pozicione pas vetes skuadra të tilla si Holanda dhe Italia, që gjenden respektivisht në vendin e 14 dhe të 15.

Top Channel