F1, Renault prezanton makinën për sezonin 2016

03/02/2016 00:00

Renault ka prezantuar makinën e re të Formula 1 për sezonin 2016. Nga Parisi, ku është edhe qendra e kompanisë, dhe me sloganin “Ja ku po vijmë”, inxhinierët dhe stafi drejtues ndezën “dritën jeshile” të një ere të re për makinën që shoqërohet nga disa risi interesante.

Ky vit do të shënojë edhe rikthmin e Renault në Formula 1 si konstruktor i pavarur, pasi nga 2016-a nuk do të jetë vetëm furnizues. Me 23 tituj botëror, 552 gara në 34 sezone e me 168 fitore të arritura, Renault kërkon t’i rikthehet lavdisë duke u rikthyer te titulli kampion gjatë sezoneve të ardhshme.

Dy pilotët zyrtarë janë 25-vjeçari britanik, Jolyon Palmer dhe danezi 23-vjeçar, Kevin Magnussen. Një çift relativisht i ri për një projekt ambicioz dhe për një skuadër që kërkon të rritet sa më shpejt në tregun e Formula 1 ku konkurrenca mbetet e lartë.

Për t’u rikthyer të risitë, Renault ka krijuar sektorin e prodhimit të makinave sportive si dhe ka nisur punën për akademinë për pilotët e rinj.

Motorët e Renault do të prodhohen në rajonin “Viry Chatillon” dhe do të montohen bashkë me telajon në “Enstone”. Frederic Vasseur është emëruar shef i skuadrës, ndërsa Cyril Abiteboul do të kujdeset për anën teknike.

Top Channel