Shtëpi e ëmbla shtëpi! Kjo është një shprehje, që kush e di sa miliarda herë është thënë, në sa e sa gjuhë të globit.

“Nuk ka si shtëpia jote”, themi, sapo hapim derën. Shijojmë udhëtime të ndryshme, për punë a pushime, megjithatë më i bukuri është udhëtimi për në shtëpi.

Dhe kjo, sepse shtëpia nuk është një vend, por është ndjenjë. Ajo që e bën magjike shtëpinë është se, ndihesh mirë kur ikën, por edhe më mirë kur kthehesh.

Shtëpia i ngjan një përqafimi të gjatë me dikë që e do shumë.

Stilisti i famshëm, Kristian Dior thoshte: “Dua një shtëpi, që të duket sikur është ngritur nga balta”.

Themeluesi i një prej shtëpive më të famshme të modës në botë, për vete jetoi në një shtëpi të thjeshtë, të ngrohtë, pa luks, jo se ai i mungonte Diorit, një prej njerëzve më të pasur të Francës.

Çfarë e bën një shtëpi të rehatshme? Nuk është gjithmonë mobilimi, thonë arkitektët. Komoditet është edhe një kolltuk i rehatshëm, para një televizori ose një oxhaku, ose një dritareje nga bie dielli.

Ka shtëpi të thjeshta, ku ti ndihesh rehat, dhe disa të tjera, që megjithëse super të mobiluara dhe të shtrenjta, ti nuk ndien çlodhje.

“Krijo një ambient të ngrohtë, -këshillojnë arreduesit- me ngjyra që të kujtojnë fëmijërinë dhe në përshtatje me stilin tënd të jetesës. Kënaqe syrin me materialet që do. Ka ndryshim thelbësor mes mureve të lyera me ngjyra të ngrohta dhe atyre me llaç gri. Instalo një sistem të mirë ngrohjeje dhe ftohjeje. Shtëpia jote duhet të ketë pamjen tënde. Mos e ngarko me objekte pa vlerë, që nuk thonë asgjë. Vendos në shtëpi gjëra që tregojnë gjëra, që të kujtojnë një histori, një situatë, apo një njeri për të cilin ke mall. Në fund të fundit, shtëpia jote je ti”.

Shkrimtari gjerman Goethe ka thënë: Qofsh mbret apo bujk, më i lumturi është ai që gjen paqen në shtëpinë e tij. Hajde të fala nga shtëpia!

Top Channel