Një vit më parë, “Top Fest”-i i fundit paralajmeroi risinë më të madhe në muzikën moderne shqiptare. Top Channel ka nisur tashmë fazën paraprake të punës, për mbrëmjen që do të kulmojë më 24 qershor, në atë që do të quhet nata e çmimeve “Top Awards”, ku më të mirët e muzikës shqiptare do të përballen me krijimet më të suksesshme të sezonit 2015-2016.

“Koncepti është ai perëndimor, që do të thotë: një natë e vetme që vlerëson muzikën e publikuar gjatë një viti. Duke qenë se ne e kemi arritur më në fund momentin, kur artistët dhe producentët arrijnë të bëhen popullorë përmes radio-televizionit, por doemos edhe internetit, në këtë pikë është shumë e rëndësishme që të ndryshojmë logjike dhe të bëhemi ‘One Night Only”, shprehet Ledion Liço, autor e moderator.

10 performanca dhe 12 çmime, ku “Top Awards”, nga Pallati i Kongreseve që do të kthehet në një arenë ndryshe të muzikës.

“Ne kemi përmbledhur 10 artistët më të mirë shqiptarë, bazuar mbi vlerësimet që ata kanë marrë në Youtube apo në të gjitha mediat sociale. Këto 10 artistë do t’i sjellim me punët e tyre më të mira”, deklaron Alban Male, drejtor artistik i “Top Awards”.

“Top Awards është një gjë krejtësisht e re, pikërisht prej faktit se çdo gjë është e re, sikurse tërësisht trajtimi që do u bëhet performancave, artistëve të ftuar. Besoj se afërsia me publikun do të jetë shumë më e madhe se herët e tjera. Publiku do t’i ndjekë nga shumë pranë ato”, thotë më tej Ergys Lubonja, regjisor.

Në “topawards.top-channel.tv”, si dhe në të gjitha hapësirat e TOP Medias mund të gjeni detajet e votimit, listën e këngëtarëve si dhe klasifikimin e tyre, në eventin ku nuk do të mungojnë të ftuar ndërkombëtarë dhe përformanca surprizë.

Top Channel