Përgatitjet për “Euro 2016”, më 26 mars Shqipëria zhvillon miqësore me Austrinë

03/02/2016 11:25

Kombëtarja shqiptare do të luajë një ndeshje miqësore me Austrinë në kuadër të përgatitjeve të Kampionatit Evropian që do të zhvillohet këtë vit në Francë. Lajmi është konfirmuar nga Federata Shqiptare e Futbollit nëpërmjet një komunikate për shtyp, ku theksohet se tashmë është arritur edhe marrëveshja me atë austriake për zhvillimin e kësaj sfide.

FSHF-ja bën të ditur se miqësorja me Austrinë do të luhet në 26 mars, në orën 17:30, në stadiumin “Ernst Happel” të Vjenës.
 
Kjo miqësore konsiderohet si një test shumë i mirë për kombëtaren tonë, duke qenë se Austria është një prej skuadrave pjesëmarrëse të “Euro 2016”. Ajo ndodhet në Grupin F të këtij aktiviteti së bashku me Hungarinë, Islandën dhe Portugalinë, ndërsa kombëtarja jonë është në Grupin A me Francën, Zvicrën e Rumaninë.

Ajo e 26 marsit do të jetë ndeshja e shtatë mes Shqipërisë dhe Austrisë. Në 6 ndeshjet e para, skuadra jonë përfaqësuese nuk ka mundur të fitojë asnjëherë, duke shënuar edhe një bilanc 1 gol i shënuar dhe 13 të pësuar dhe të gjitha ndeshjet me Austrinë janë luajtur në vitet ‘80.

Hera e fundit që është parë një përballje mes Shqipërisë dhe Austrisë ka qenë në vitin 1987, në eliminatoret e “Euro 1988”, me Shqipërinë që humbi 0-1 ndaj skuadrës austriake.

Top Channel