Albumi i tenorit shqiptar me famë botërore, Saimir Pirgu, i titulluar “Il mio canto”, një album “solo”, ku përmblidhen ariet më të bukura italiane dhe franceze, të kompozuara për tenorët më të mëdhenj të botës, është duke u promovuar në Londër nga “Opus Arte”, shtëpia diskografike e Operas Mbretërore në “Covent Garden” dhe nga studiot e “BBC 3”.

Ky promovim i albumit të tenorit të madh shqiptar koinçidon me performancën e tij në “La Traviata” të Verdit, që është duke u shfaqur prej disa javësh në Operan Mbretërore të Londrës.

Dalja e albumit të Saimir Pirgut, i cilësuar protezheja e tenorit legjendar Luciano Pavarotti, do të pasohet nga një turne nëpër botë, ku përfshihen performanca në Firence, Moskë, Vjenë, Berlin, Paris, Tokio dhe Nju Jork. Albumi është realizuar me orkestrën e “Maggio Musicale Fiorentino”, e dirigjuar nga Spernaza Scappucci.

Gjatë këtij turneu botëror, në muajin shkurt dhe mars, tentori i famshëm shqiptar do ta sjellë albumin e tij “Il mio canto” në një performancë ekskluzive për publikun shqiptar, më 5 mars në Tiranë.

“La Traviata”, ku luan në rolin kryesor të Alfredos, Saimir Pirgu do të shfaqet drejtpërdrejt nga Opera Mbretërore e Londrës, ditën e enjte në mbrëmje, më 4 shkurt, në 2000 kinema në mbarë botën, përfshi edhe në kinematë kryesore shqiptare. Ndërkohë, në një shkrim të saj, “Financial Times” e Londrës vlerëson performancën e tenorit shqiptar me superlativa.

Top Channel