Kosovë, një muaj paraburgim për të arrestuarit pranë Manastirit të Deçanit

02/02/2016 00:00

Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për 4 personat, të cilët u arrestuan të shtunën nga Policia e Kosovës, në afërsi të Manastirit të Deçanit.

Lajmi është konfirmuar për Top Channel nga kryetarja e kësaj gjykate, Elmaze Syka, e cila përmes telefonit tha se, masa e paraburgimit për 4 të dyshuarit është caktuar për shkak të veprës penale “armëmbajtje pa leje, në bashkëveprim”.

Gjatë kontrollit të makinës, me të cilën po udhëtonin 4 të arrestuarit mbrëmjen e së shtunës, policia e Kosovës ka gjetur dhe konfiskuar një armë AK-47 (kallashnikov) me 20 fishekë, si dhe një pistoletë me 16 fishekë.

Lidhur me këtë rast, prifti i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiç ka shkruar menjëherë pas arrestimit në Twitter se, ishin arrestuar 4 “islamikë të armatosur”. Por, në mënyrë të menjëhershme gjithashtu, këto deklarata u përgënjeshtruan nga Policia e Kosovës.

Top Channel