Konferenca “Gërmia Hill”, vendet e rajonit: Të vazhdojë integrimi i Ballkanit në BE

02/02/2016 00:00

Përfaqësues të vendeve të rajonit i kanë dërguar mesazh Bashkimit Europian, që të përshpejtojë integrimin dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të mos qëndrojë i bllokuar ndaj Ballkanit Perëndimor, në një kohë krize globale të sigurisë.

Duke folur në Prishtinë, në konferencën ndërkombëtare “Gërmia Hill” për sigurisë në Europën Juglindore, përfaqësues të Kosovës dhe vendeve të rajonit folën mbi luftën kundër terrorizmit dhe emigracionit, por dhe për faktin që Brukseli duhet të hapet më shumë ndaj Kosovës.

“Çdo keqkuptim dhe paragjykim, që Kosova të identifikohet me ‘lumenjtë’ e emigrantëve nga Siria, Iraku e Afganistani, është i tepërt dhe i paqëndrueshëm. Ne kemi punuar shumë, që numri i azilkërkuesve tanë të bjerë dramatikisht. Edhe krerët e Bashkimit Europian kanë vlerësuar se, puna jonë është bërë me përgjegjësinë më të madhe, për këtë është vlerësuar lart. Kemi arritur sukses, pasi nga 13 mijë azilkërkues kosovarë që kërkuan azil përmes Hungarisë në shkurt të vitit të kaluar, në dhjetor të vitit që shkoi numri ka qenë 5 persona”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

“Duhet të trajtohemi njësoj me vendet e tjera. Kosova është shtet normal, i zakonshëm dhe me një mazhorancë të fuqishme të deklarimit euroatlantik. Ndoshta edhe më shumë se vende të tjera, që janë anëtare të Bashkimit Europian. Kjo nuk është vetëm për nevojat e qytetarëve, por është vlerë e mëshiruar e qytetarëve të Kosovës”, tha Hashim Thaçi, zv.kryeministër i Kosovës.

Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Mimi Kodheli, në konferencën “Gërmia Hill” tha se NATO dhe Bashkimi Europian duhet të mbështesin më shumë vendet e Ballkanit, pasi në këtë pjesë të botës – siç tha ajo, – çdo ditë po shtohen joshjet nga ana e Rusisë. Kodheli deklaroi gjithashtu se, BE duhet të lëvizë shpejt me liberalizmin për shtetasit kosovarë, pasi – siç tha ajo, – ata kanë lëvizur pa viza edhe kur kanë qenë pjesë e Jugosllavisë.

“Qytetarët e Kosovës e kanë gëzuar dhe merituar kur ishin pjesë e Federatës, ndërkohë që po këta qytetarë nuk e gëzojnë dhe nuk po e meritokan sot, që janë një vend i pavarur. Kjo është qesharake. Kjo është qesharake…”, u shpreh Mimi Kodheli, ministre e Mbrojtjes, Shqipëri.

Ndërkohë, zëvendëskryeministrat nga Maqedonia dhe Mali i Zi thanë gjithashtu se, kanë një bashkëpunim të ngushtë me Kosovën dhe Shqipërinë në luftën kundër terrorizmit dhe në menaxhimin sa më të mirë të çdo lloj fluksi emigrantësh, me të cilin mund të përballet rajoni.

Top Channel