Afron Botërori i F1, Mercedes skuadra për t’u mundur

02/02/2016 14:20

Më 20 mars nis Botërori i ri i Formula 1 me Çmimin e Madh të Australisë. Skuadrat po punojnë prej kohësh për këtë kampionat që do të nisë me testet parasezonale që do të zhvillohen në 22-25 shkurt dhe 1-4 mars.

Gjatë kampionatit do të ketë edhe dy sesione të tjera testesh; në 13-15 maj ne Spanjë dhe 17-18 maj në Britaninë e Madhe.

Skuadra për t’u mundur në këtë botëror është padyshim Mercedes që do të garojë sërish me Luis Hamilton dhe Niko Roseberg. Skuadra gjermane dominoi në dy botërorët e fundit  falë një pune fantastike të stafit teknik të saj që krijuan një makinë pothuajse perfekte.

Skuadra që do të prezantohet në këtë sezon si kërcënimi më i madh i hegjemonisë Mercedes është Ferrari që do të zbulojë makinën e re më 18 shkurt. Te Kokëkuqja italiane besohet se ka një përmirësim të dukshëm të makinës në krahasim me vitin e kaluar gjë që do të vërehet edhe nga Vettel e Raikkonen.

Uilliams, që edhe këtë vit do të garojë me Bottas dhe Massan, mendohet që të bëjë prezantimin e saj më 22 shkurt. Drejtori Teknik i kësaj skuadre, Pat Symmonds do të kërkojë që ta bëjë atë një rivale të fortë të Mercedes dhe Ferrarit.

Red Bull po përjeton një tranzicion të vërtetë. Skuadra austriake, që edhe këtë vit do të ketë si pilotë Ricciardon dhe Kvijat do të ketë motorët Renault, por në siglën e Tag Hojer, ndërsa pritet rikthimi i Adrian Njuej në 2017.

McLaren duket se do të jetë një e panjohur e madhe në këtë Botëror të Formula 1. Të gjithë duan të dinë nëse ajo është përmirësuar në krahasim me 2015. Duhet parë gjithashtu edhe nëse është rritur besueshmëria e motorit Honda. Alonso dhe Button do të jenë sërish pilotët e Mclaren që do të prezantohet më 21 shkurt.

E reja për këtë botëror të Fortmula 1 është prania e Renault, për të cilën ky është një rikthim. Palmer është një prej pilotëve që do të garojnë me këtë skuadër, ndërsa piloti tjetër do të jetë Magnusen që do të zëvendësojë Maldonadon që konfirmoi largimin nga Formula1.

Ndryshime do të ketë edhe Toro Rosso. Verstapen e Carlos Sainz Jr do të kenë në dispozicion makina me motorë Ferrari me shpresën për të marrë rezultate më të larta. Me motor Ferrari do të jetë edhe skuadra më e re e Formula 1, Haas Team që do të garojë me Groszhon dhe Gutierres.

Top Channel