Rekordi i Premier League, 1 mld paund në merkato

02/02/2016 12:25

Premier League vendos një rekord të ri në merkaton e transferimeve. Këtë sezon skuadrat e këtij kampionati kanë kaluar shfrën e 1 miliardë Paund të shpenzuara në blerjen e futbollistëve, gjë që ndodh për herë të parë.

Sipas Deloitte, për sesionin e merkatos së janarit të këtij viti shifra e shpenzuar nga ekipet britanike arriti në 175 milionë Paund, më e larta në 5 vitet e fundit përsa i përket këtij muaji.

Ndërsa, gjatë muajve të verës, skuadrat e Premier League shpenzuan 870 milionë Paund duke e çuar shifrën totale të sezonit në 1 miliardë e 45 milionë Paund.

Për merkaton e janarit, blerja më e shtrenjtë u konsiderua ajo e bërë nga Stoke City prej 18.3 milionë paund për blerjen e Gianneli Imbulas nga Porto, ndërsa për verën e vitit 2015, skuadra që bëri blerjet më të shtrenjta ishte Manchester City që shpenzoi 55 milionë Paund për De Bruyne dhe 49 milionë Paund për Sterling.

Gjithnjë sipas Deloitte, për janarin më shumë se 50 përqind e shpenzimeve për blerje futbollistësh është bërë nga 6 skuadrat e para të kampionatit, ndërkohë që vitin e kaluar kjo kuotë ishte në vetëm 20 përqind të shpenzimeve.

Top Channel