Mbreti i pistës, Lord Coe, në studion e TCH: Do ta rikthejmë besimin tek Atletika

01/02/2016 00:00

Legjenda botërore e Atletikës, Lord Coe vjen për herë të dytë në Shqipëri, por kjo është vizita e parë si president i Federatës Botërore të Atletikës. Lord Coe ka qenë i ftuar special në studion e lajmeve të Top Channel, ku ka dhënë një intervistë të shkurtër me folësin e edicionit qendror, Ilir Paço.

Paço: Lord Coe, ju keni qenë këtë të hënë në një takim me kryeministrin Edi Rama për të diskutuar në lidhje me disa projekte konkrete për atletikën në Shqipëri. Çfarë mbështetje morët nga kreu i ekzekutivit dhe, më konkretisht, si mendoni se do të ndihmohet atletika shqiptare?

Lord Coe: Para së gjithash ishte një bisedë shumë e gjerë me shumë tema që ne i diskutuam. Ishte një kënaqësi që fola me kryeministrin për rëndësinë që ka sporti në shoqëri dhe për të rinjtë gjithashtu. Patjetër që kemi folur për atletikën dhe u përpoqa të shpjegoja rolin, që mund të luajë ky sport në shoqërinë shqiptare, si dhe rëndësinë për të mbajtur një infrastrukturë shumë të mirë për të trajnuar sportistë të rinj.

Paço: Skandali i fundit i dopingut ka qenë një goditje e rëndë jo vetëm për Atletikën, por për të gjithë sportin. Në çfarë përmasash është dëmi, që i është bërë këtij sporti, dhe sa kohë do t’i duhet veçanërisht asaj të rifitojë emrin si “mbretëresha” e sporteve?

Lord Coe: Po, keni të drejtë. Këto janë kohë shumë sfiduese për botën e sportit, e veçanërisht muajt e fundit, ashtu si dhe për presidentin e ri të Federatës. Sigurisht unë kam dy sfida të mëdha. E para, të rindërtoj përsëri besimin te Federata Botërore e Atletikës dhe shpresoj që ndryshimet, që unë do të realizoj, do të ndihmojnë në këtë aspekt. Veçanërisht duke krijuar një sistem antidopingu të pavarur. Sfida e dytë ka të bëjë me rikthimin e besimit të sportistëve dhe të të gjithë sportdashësve, që duhet të kenë te bota e atletikës. Sigurisht që unë do të kem një pozicion të palëkundur në luftën kundër dopingut. Por, rruga e ndërtimit të besimit do të kërkojë pak kohë. Gjithsesi ne do ta realizojmë dhe do ta rikthejmë përsëri besimin.

Paço: Në fakt viti 2015 ishte ai i skandaleve sportive, që përfshinë FIFA-n, UEFA-n dhe Atletikën. Mendoni se ishte rastësi, apo kishte ardhur momenti për të pasur më shumë transparencë në veprimtaritë sportive dhe në financimin e tyre apo gjithçka tjetër që lidhet me to?

Lord Coe: Sporti është i lidhur pashmangshmërisht me jetën tonë. Ka qenë gjithmonë kështu dhe besoj se, për shumë njerëz, sporti është shumë i rëndësishëm në jetët e tyre. Duhet ta kuptojmë rëndësinë e tij. Sporti duhet të paraqitet në sytë e të gjithë sportdashësve si një lojë shumë e drejtë. Nuk është puna thjesht për të pasur një garë atletike dhe të tjerët të jenë të përfshirë në një mënyrë apo një tjetër. Sporti duhet t’i adresojë të gjitha këto çështje dhe për këtë nuk duhet pasur frikë. Besoj se të gjitha institucionet e tjera sportive, politike, financiare apo qoftë edhe ato fetare, duhet të paraqesin veten e tyre në mënyrë transparente. Edhe bota e sportit po kështu funksionon, si të gjitha këto institucione.

Paço: Në fund, një pyetje nga sporti i politikës, meqë njiheni si mik i afërm i kryeministrit David Cameron. A do të qëndrojë Britania e Madhe në Bashkimin Europian?

Lord Coe: Kjo është një pyetje disi më ndryshe. Besoj se është shumë e rëndësishme që Britania e Madhe të vazhdojë të luajë një rol kryesor në të ardhmen e BE-së. E ardhmja e tij është një Bashkim Europian i reformuar, ndaj dhe ne po përpiqemi të negociojmë një reformë me BE-në. Besoj se edhe kjo do të realizohet, ndërsa britanikët do të vendosin gjithsesi të qëndrojnë brenda BE-së.

Paço: Ju falënderoj që ishit në studio.

Top Channel