Sebastian Coe në Tiranë; kreu i IAAF për pistën e stadiumit të ri “Arena Kombëtare”

01/02/2016 00:00

Presidenti i Federatës Botërore të Atletikës, Sebastain Coe ka mbërritur në Tiranë për herë të parë që nga koha kur është zgjedhur në gushtin e shkuar president i federatës pas skandalit më të madh të historisë që ka përfshirë këtë institucion për shkak të korrupsionit dhe dopingut rus.

E ku tjetër veç stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” mund të mbërrinte Lord Coe, si terreni i vetëm i mbetur në kryeqytet ku mund të ushtrohet pak atletikë. Vizita e Coe ka si qëllim nxitjen e zgjidhjes së problemit kryesor të të gjitha sporteve në vendin tonë, atë të infrastrukturës.
 
“Kjo është vizita ime e dytë në Tiranë dhe shoh shumë ndryshime pasi kanë kaluar dhjetë vite nga vizita e parë. Unë si president i Federatës Botërore të Ateltikës nuk mund t’i them qeverisë se çfarë duhet të bëjë me infrastrukturën sportive, por mund të them që një qytet kaq i madh sa Tirana duhet të ketë infrastrukturën e nevojshme për të ushtruar sportin e atletikës. Mendoj se duhet të ketë një platformë për të rinjtë që të merren me atletikë dhe kjo është shumë e rëndësishme, pikërisht këtë i thashë edhe kryeministrit”, deklaroi Coe.

Sebastian Coe është një nga atletët më të suksesshëm të historisë së atletikës britanike dhe asaj botërore. Mbreti i distancave të mesme është konsideruar ndryshe Baron Coe, fituesi i 4 medaljeve të arta në Olimpiadat e viteve 1980 dhe 1984 dhe mbajtësi i 11 rekordeve botërore në garat 800 dhe 1500 metra.

Karriera e tij e sukseshsme filloi të spikasë në vitin 1977 kur u shpall kampion Europe në garën e 800 metrave në salla të mbyllura për të kaluar më pas kampion Anglie dhe rekordmen i Britanisë së Madhe në garën e 800 m. Nga ky vit deri në 1989 kur ishte 33-vjeç, Sebastian Coe mbajti vendin e parë për disa vite në të gjitha kategoritë ku garonte.

Në vitin 1983, Coe u shkëput për disa muaj nga sporti për shkak të problemeve shëndetësore, por pas rikthimit ai vendosi rekord të ri në garën e 500 m në Olimpiadën e Los Anxhelosit.

Pas karrierës së suksesshme në sport, në vitin 1992 Coe u zgjodh deputet i Partisë Konservatore në Parlamentin britanik. Pesë vjet më vonë në zgjedhjet e përgjithshme, ai humbi këtë post. Lord Coe iu rikthye politikës në vitin 2000, duke shërbyer si shefi i stafit të liderit të opozitës së asaj kohe, William Hague.

Top Channel