Shqiponjat stërviten për të kapur… dronët

01/02/2016 00:00

Robotë, radarë… dhe çfarë tjetër nuk është testuar në mënyrë që të fitohet beteja më dronët, por policia holandeze nuk është kaq “hi-tech” në “luftën” që i ka shpallur këtyre pajisjeve.

Autoritetet e këtij shteti janë duke stërvitur shqiponjat në mënyrë që ato të rrëzojnë helikopterët e telekomanduar siç njihen ndryshe dronët. Kjo pajisje është gjithnjë e më e përdorur nga njerëzit, të cilët e shfrytëzojnë edhe për të bërë foto.

Por, Policia Shtetërore Holandeze thotë se jo gjithmonë dronët lejohen për një gjë të tillë, pasi kemi të bëjmë me shkelje të privatësisë, por gjithsesi siguria është ajo që shqetëson më shumë autoritetet.

“Parashikohen raste kur dronët nuk janë të lejuar të fluturojnë dhe kjo gjithmonë lidhet me arsye sigurie”, deklaron Mark Wiebe, një zyrtar policor.

Shqiponjat janë stërvitur t’i shohin dronët si prenë e tyre, pra t’i marrin dhe t’i çojnë në një vend larg njerëzve dhe shpendëve të tjerë.

Top Channel