Skandali i “bypass”-eve, Prokuroria konfirmon hetimin; reagime të shumta

31/01/2016 00:00

Konfirmimi nga Prokuroria Speciale e Kosovës mbi hetimin e mbi 100 punonjësve të shëndetësisë, me dyshimin se u kanë vënë pacientëve “bypass”-e të panevojshme në operacione të kryera në spitale private, është pasuar me reagime të shumta.

Ministria e Shëndetësisë ka kritikuar publikimin në media të emrave të mjekëve nën hetim, ndërsa vet ministri Imet Rrahmani ka thënë se, ruajtja e dinjitetit të punëtorëve të shëndetësisë është e domosdoshme dhe se, fajësia duhet të publikohet vetëm atëherë kur të vërtetohet.

Ministri Rrahmani ka theksuar se, beson në profesionalizmin dhe përkushtimin e mjekëve, duke shtuar se ky proces duhet të përshpejtohet, sepse specifikat e shërbimit janë shumë të ndjeshme.

Ndërkohë në lidhje me skandalin, kryeministri i vendit Isa Mustafa ka deklaruar se, organet e shtetit duhet të kryejnë detyrën e tyre, por gjithashtu duhet të kenë besim të plotë te pjesa dërrmuese e personelit mjekësor.

Por Lëvizja Vetëvendosje, gjatë së dielës ka fajësuar pikërisht qeverinë “Mustafa” për këtë çështje, që e quan skandal në shëndetësinë kosovare.

“Problematika qëndron në infrastrukturën ligjore dhe mbështetjen, që klanet e caktuara të lidhura me krimin e organizuar manipulojnë duke përfituar shuma marramendëse. Këto klane janë të lidhura drejtpërdrejt me partitë në pushtet”, tha Mirsad Shkreta, nga Lëvizja Vetëvendosje.

Publikimi i emrave të mjekëve nën hetim u pasua edhe me bojkotimin e mjekëve kardiologë, duke trajtuar vetëm rastet emergjente.

Top Channel