Dështimi i Kosovës në KiE, Menduh Thaçi: Shqiptarëve iu mungon koordinimi

01/02/2016 00:00

Kryetari i PDSH-së opozitare, Menduh Thaçi vlerëson se, miratimi i rezolutës për Kosovën së bashku me amendamentet e Serbisë në Këshillin e Europës ka ndodhur për shkak të mungesës së koordinimit të mirëfilltë mes politikës shqiptare në rajon.

“Nuk dua të mbroj dikë dhe as ta kritikoj, por duhet të jemi të drejtë dhe korrektë. Koordinimi mes politikës shqiptare, prej një koordinimi folklorik dhe romantik duhet të kalojë në një koordinim serioz politik dhe juridik, me struktura dhe institucione që e njohin mënyrën e funksionimit të organizatave ndërkombëtare në aspektin e akteve normative. Kjo që bën Serbia nëpër institucionet ndërkombëtare është terrorizëm politik, sepse nëse jeni në bisedime dhe në marrëveshje me këdo, nuk guxoni të veproni me këtë ashpërsi dhe terrorizëm institucional”, tha Menduh Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare.

Zgjedhjet në Maqedoni, Thaçi: Nuk janë trajtuar kërkesat e shqiptarëve

Duke folur për zhvillimet politike në Maqedoni, kreu i PDSH-së tha se, është shumë afër braktisjes së negociatave për zbatimin e marrëveshjes së dy qershorit, pasi – sipas tij, – në këto bisedime nuk është trajtuar asnjë kërkesë e shqiptarëve, e për këtë fajin ia faturoi partisë së Ali Ahmetit, BDI-së.

“Asgjë që ka të bëjë me shqiptarët; marrëdhëniet ndëretnike, keqpërdorimi i buxhetit, implementimi i Marrëveshjes së Ohrit; nuk është përmendur fare në dialog. Ky është një fakt shumë i fuqishëm, që më bën të jem shumë pranë asaj, që këtë dialog ta quaj manipulim të radhës”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Udhëheqësi opozitar i bëri këto komente pas takimit me drejtuesit e lartë të Institutit Ndërkombëtarë Republikan, “IRI”. Këta të fundit kanë shprehur gatishmëri, që të ndihmojnë PDSH-në në avancimin e burimeve njerëzore dhe të përfshijnë kreun e partisë, Menduh Thaçin, në programet e tyre për rajonin.

Top Channel