Amerika nuk është më “toka e ëndrrave”

01/02/2016 17:15

Amerika nuk është më “toka e premtuar” dhe as e mundësive. Mundësitë nuk “banojnë” më në tokën përtej Atlantikut.

Në këtë përfundim ka mbërritur një studim i “Stanford Center”, që ka publikuar një raport mbi varfërinë dhe pabarazinë.

Sipas këtij dokumenti, të bëhesh milioner në Shtetet e Bashkuara tashmë vetëm puna nuk mjafton, por duhet edhe shumë fat.

“Koha kur të punoje fort në Shtetet e Bashkuara të bënte të pasur ka marrë fund”, thuhet në studimin e “Stanford Center”.

Kjo qendër ka ndërmarrë studimin duke krahasuar nivelin e varfërisë, pabarazinë, lehtësitë ekonomike, papunësinë dhe programet sociale në 10 vendet më të zhvilluara të botës.

Në Shtetet e Bashkuara, niveli i varfërisë është stabël në 15,3 përqind, papunësia është në rënie, megjithatë të punësuarit nuk shkojnë përtej 60 përqindëshit të popullsisë. Studimi vëren se pavarësisht mëkëmbjes ekonomike dhe financiare që pas krizës, për amerikanët nuk ka sinjale domethënëse të përmirësimit të kushteve të tyre të jetesës.

Ajo që nuk ndihmon aspak në përmirësimin e kësaj situate është shpërndarja tmerrësisht e diferencuar e të mirave. Sipas statistikave, 1 përqind e amerikanëve zotërojnë 25 përqind të të ardhurave që mbërrijnë nga pagat ose aktivitetet e biznesit. Ky është niveli më i lartë i çbalancimit që prej vitit 1928, pak kohë para se të shpërthente kriza e madhe.

Të gjitha këto shifra, sipas “Stanford Center”, përkthehen në pak fjalë: Shtetet e Bashkuara jo vetëm që nuk krijojnë më vende pune, por nuk garantojnë as atë mundësi që të gjithë e ëndërrojnë.

Cili shtet është vendi i mundësive? Sipas të njëjtit studim, më mirë ktheni sytë nga veriu, tek Finlanda ose Norvegjia, ose ose tek i nxehti i Australisë. 10 vendet që të ofrojnë mundësitë më të mëdha dhe më të mira punësimi dhe jetese, sipas “Stanford Center”, janë si më poshtë:

1)    Finlanda
2)    Norvegjia
3)    Australia
4)    Kanadaja
5)    Gjermania
6)    Franca
7)    Britania e Madhe
8)    Italia
9)    Spanja
10)  Shtetet e Bashkuara

Top Channel