Athinë, rritet çmimi i biletës së transportit urban; reagon sindikata

01/02/2016 00:00

Që prej 1 shkurtit, edhe në Athinë është rritur çmimi i biletës së linjave urbane. Lajmi bëhet publik prej Ministrisë së Transporteve, e cila ka vendosur që tarifat e reja të hyjnë në fuqi menjëherë, për të shpëtuar kompaninë shtetërore të linjave urbane “Oasa” prej falimentimit.

Sipas Ministrisë së Transportit, bileta e linjave urbane të Athinës do të kushtojë 1.4 euro, nga 1.2 që ishte deri më tani.

Ritje pësojnë edhe tarifat e transportit drejt aeroportit, bileta e së cilës do të kushtojë 10 euro, nga 8 euro deri më tani, si dhe biletat e subvencionuara do të rriten me 10 cent.

Mbetet i pandryshuar çmimi i abonesë mujore, që do të vazhdojë të jetë i lirë për kategoritë që shfrytëzojnë rregullisht mjetet e transportit masiv qytetas, sqaron Ministria greke e Transportit.

Këto tarifa kanë shkaktuar reagimin e udhëtarëve, të cilët shprehen të indinjuar nga rritja e çmimit të biletës. Ata thonë se, në kushtet e vështira që Greqia po kalon nuk nevojitet më rritja e çmimeve, pas mezi po ia dalin mbanë për mbijetesën e përditshme.

Udhëtarët kritikojnë gjendjen skandaloze të mjeteve të transportit urban në Athinë. Autobusë të vjetër dhe jashtë kushteve teknike. Mungesë linjash dhe vonesa të ekzagjeruara, çfarë sjellin pritje të gjata në stacione, thonë ata.

“Në këtë moment krize që po kalon vendi, nuk e prisnim që qeveria të vendoste rritjen e çmimit të biletës. Njerëzit janë pa punë dhe kushte të vështira”, thotë Jorgos Kutulaqias, banor i Athinës.

Të pakënaqur shprehen edhe emigrantët shqiptarë që jetojnë në Athinë.

Edhe Sindikata e shoferëve të Transportit ka kundërshtuar rritjen e çmimit të biletës. Ata kërkuan të mos ndryshoheshin tarifat. Për këtë, ata kanë paralajmëruar një grevë 5 orëshe gjatë ditës së martë, më 2 shkurt, dhe protestë jashtë Ministrisë së Transportit.

Gjithashtu, kjo sindikatë paralajmëroi pjesëmarrje edhe në grevën e përgjithshme të datës 4 shkurt, grevë kjo që pritet të paralizojë tërësisht vendin.

Në kryeqytetin helen, aktualisht lëvizin 820 autobusë urbanë, nga 1500 sa ç’janë kërkesat. Mjetet e transportit urban janë tejet të amortizuara. Në Athinë nuk janë blerë autobusë urbanë të rinj që prej vitit 2003. Situata vlerësohet alarmante, ndërsa qeveria nuk pranon ta privatizojë sektorin.

Top Channel