Zyrtare: Pep Guardiola do të jetë trajneri i ardhshëm i Manchester City

01/02/2016 14:40

Manchester City ka njoftuar nëpërmjet një komunikate për shtyp se Pep Guardiola do të jetë trajneri i skuadrës duke nisur nga sezoni i ardhshëm. Trajneri aktual i Bayern Munchen, i cili kishte disa javë që kishte konfirmuar largimin nga bavarezët, do të firmosë me klubin anglez për 3 sezone.

“Manchester City konfirmon se në javët e fundit ka nisur dhe finalizuar negociatat me Pep Guardiolën, i cili do të jetë trajneri i ekipit të parë nga sezoni 2016-2017. Këto negociata kanë qenë një vazhdim i atyre të ndërprera në vitin 2012”, lexohet në komunikatën zyrtare.

Në këtë mënyrë, Manuel Pellegrini, trajneri aktual i Manchester City, do të largohet nga drejtimi i skuadrës pas 3 sezonesh në të cilat fitoi një kampionat dhe një Kupë Lige (të dy trofetë u fituan në sezonin e tij të parë). Këtë sezon, City është ende në luftë për të gjitha kompeticionet: Kupë Lige (do të luajë finalen ndaj Liverpool), Champions League (do të luajë 1/8 e finaleve ndaj Dinamos së Kievit) dhe është në vendin e dytë të kampionatit, 3 pikë pas Leicester.

Top Channel