La Liga, fitore tenistike për Realin

31/01/2016 00:00

Real Madrid i rikthehet fitoreve. “Los Blancos” fituan 6-0 në “Bernabeu” përballë Espanyolit falë tre golave të Cristiano Ronaldos dhe nga një të Benzemasë dhe James Rodiguez.

Goleada e madrilenëve u hap kur kronometri tregonte 7 minuta, me Karim Benzema që shfrytëzoi harkimin perfekt të James Rodriguez. Pak çaste më pas, Cristiano Ronaldo fitoi një penallti, të cilën e ekzekutoi ai vetë. Reali mbylli çdo diskutim në të 16-ën, duke i dhënë goditjen e “knock out”-it Espanyolit.

Në pozicion të dyshimtë jashtë lojë, James kontrolloi topin dhe nuk u mendua dy herë të godiste, me devijimin fatkeq të Diop që ishte vendimtar për të nxjerrë portierin jashtë loje.

Përpara pushimit ndërmjet pjesëve ishte sërish Ronaldo që realizoi, me lëvizje të jashtëzakonshme duke nxjerrë jashtë loje mbrojtësit, ndërsa me të majtën nuk i la kohë për reagim portierit.

Avantazhi 4-0 bëri që Reali ta ulte ritmin e lojës në pjesën e dytë, duke qenë pak kërkues. Madrilenët u zgjuan në minutat e fundit. Ronaldo në të 82-ën realizoi golin e pestë të sfidës dhe të tretin personal, duke devijuar me kokë asistin e Jese Rodriguez. 4 minuta më pas, Reali shënoi sërish, pas autogolit të Oscar Duarte-s.

Ndërkohë, Valencia ka humbur në shtëpi 0-1 nga Gijon, duke bërë që trajneri ri, Gary Neville, të vërshëllehet nga tifozët vendas, pasi nuk ka arritur fitore në 8 ndeshje kampionale.

Në ndeshjet e tjera, Sevilla fitoi 3-1 në shtëpi përballë Levantes, ashtu sikruse Las Palmas me Celta Vigon 2-1.

Top Channel