“Bie” Skënderbeu, Partizani i bashkohet në krye

30/01/2016 00:00

Partizani hakmerret ndaj Laçit për humbjen në Kupë dhe i bashkohet Skënderbeut në krye të renditjes së Kategorisë Superiore.

Skuadra e “Të Kuqve” mposhti atë të Stavri Nicës në ‘Qemal Stafa’ me rezultatin 2-0 duke shënuar fitoren e parë nën drejtimin e Agostinelit.

Partizani e shënoi golin e parë me Raçiç në minutën e 8 të takimit, ndërkohë që në të 54, portieri Alban Hoxha u ndëshkua me karton të kuq. Por pavarësisht disavantazhit numerik, vendasit gjejnë golin e dytë me anë të Vilës në minutën e 77 të takimit, ndërkohë që 3 minuta më vonë, shpresat e kurbinasve për të dalë me një rezultat pozitiv shuhen pas daljes me karton të kuq të Malindit.
 
Skënderbeu përsëri nuk arrin dot të mposhtë Vllazninë. Ndryshe nga sfida e Kupës, këtë radhë skuadra korçare doli nga fusha sportive ‘Reshit Rusi’ e mundur dhe Vllaznia mori 3 pikët.

Tirana përmbushi pritshmëritë dhe fitoi në Pukë ndaj Tërbunit 3-1 për t’u ngjitur përkohësisht në vendin e tretë të renditjes.

Java e 19 e Kategorisë Superiore do të mbyllet me sfidat Kukësi-Bylis dhe Flamurtari-Teuta që do të luhen ditën e diel.

Top Channel