Veseli premton njohjen e diplomave të universiteteve jopublike

30/01/2016 16:35

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i ka ftuar në një takim të dytë studentët protestues të diplomuar në universitetet jopublike në Shqipëri dhe i ka siguruar se për dy javë Kosova do t’ua njohë të gjitha diplomat që ua njeh Republika e Shqipërisë.

Sipas përfaqësuesve të studentëve protestues, Veseli i ka ftuar në takim të dytë të premten pasdite, pasi është konsultuar edhe me Ministrinë e Arsimit nga e cila ka kërkuar të përshpejtojë procedurat e njohjes së gjitha diplomave shqiptare.

“Kryeparlamentari u zotua, gjithmonë bazuar në deklaratën e ministrit Bajrami që brenda dy javësh kjo punë do të zgjidhet, duke thënë që të gjitha diplomat tuaja, që njihen brenda Republikës së Shqipërisë, do të njihen me automatizëm edhe brenda Republikës së Kosovës. Kryeparlamentari kërkoi që në këtë periudhën dyjavore të presim dhe të shohim se si do të ecin gjithmonë brenda normativave dhe rregullave që ka Republika e Kosovës”, thotë Niman Bardhi, përfaqësues i të diplomuarve në universitetet jopublike në Shqipëri.  
 
Bardhi tha se aktualisht janë në pritje të njohjes së diplomave nga Kosova rreth 3 mijë studentë që kanë kryer studimet në universitete jopublike në Shqipëri.

Top Channel