Policia greke ka vendosur të ndaloje të gjitha grumbullimet dhe protestat e planifikuara për 24 orët e ardhshme në kryeqytetin e vendit, Athinë.

Urdhëri u publikua nga Drejtoria e Policisë së Atikës, e cila ka deklaruar se, për arsye të sigurisë kombëtare do të ndalohen grumbullimet e gjithë grupimeve anarkiste dhe atyre të ekstremit të djathtë, të paralajmëruara për ditën e shtunë në qendrër të Athinës.

Sipas autoriteteve, grupimet e ekstremit të djathtë të partisë fashiste Agimi i Artë kishin paralajmëruar një protestë në përkujtim të tragjedisë së Imias, ishullit grek të pushtuar nga komandot turq 20 vjet më parë, ku dy vendet, falë ndërhyrjes amerikane, shmangën përballjen ushtarake.

Gjatë një incidenti ende të pasqaruar mirë, gjatë ditëve të krizës 4 ushtarakë grekë humbën jetën nga rrëzimi i një helikopteri ushtarak në ujërat pranë ishullit.

Në ndihmë të grupimeve fashiste kanë mbërritur në Greqi edhe bashkidealistë të tyre nga Gjermania, Polonia dhe Ukraina. Madje, një ditë më parë, 4 fashistë gjermanë u dërguan në spital pas një sherri në një lokal me anarkistë grekë, në lagjen Manastiraqi të Athinës.

Nga ana e tyre, edhe anarkistët kanë organizuar një anti-miting. Grupimet e tyre kanë paralajmëruar një tubim në sheshin përpara Akademisë së Athinës. Policia ka paralajmëruar ndërhyrje dhe arrestime nëse të dyja palët vendosin të zbresin në protesta.

Për ruajtjen e sigurisë në zonë ndodhen 1.500 policë. Për shmangien e kontakteve mes dy grupeve ekstreme janë mbyllur edhe stacionet e metrosë, Evangjelizmos, Sindagme dhe Panepistimio në qendër të Athinës. Përballjet midis grupeve ekstremiste anarkiste dhe atyre fashiste janë kthyer në ngjarje të përditshme në rrugët e Greqisë.

Top Channel