Zyrtare, Pato tek Chelsea

29/01/2016 00:00

Alexandro Pato rikthehet në Europë. Ashtu siç ishte paralajmëruar prej kohësh, sulmuesi brazilian është huazuar tek Chelsea. 26-vjeçari do të qëndrojë në Londër deri në fund të këtij sezoni, por me mundësi blerje.

“Jam shumë i lumtur të firmos për Chelsean. Është si një ëndërr për mua. Mezi po pres të takoj shokët e skuadrës dhe të luaj. Falënderoj Chelsean për mbështetjen dhe shpresoj që të shpërblej besimin e tyre dhe të tifozëve”, tha Pato.

Që nga largimi i tij nga Milani në janar të vitit 2013, qëllimi i Pato ishte rikthimi në Europë për të dëshmuar se ende mbetet njëri nga lojtarët më të talentuar në botë.

Me kuqezinjtë bëri 150 paraqitje duke shënuar 63 gola, pa përfshirë edhe një “gol” jashtë fushe me të bijën e Berlusconit.

Ndërkohë, trajneri Hiddinik ka paralajmëruar brazilianin se e pret një konkurrencë e fortë për një vend në formacion, pasi duhet të sfidojë Diego Costan, njeriun që ka shënuar 6 gola në 6 ndeshjet e fundit.

Mediat britanike raportuan se Pato ishte një përzgjedhje e Mourinhos, dhe jo e Hiddinik, pasi ky i fundit ka rezervat e tij në lidhje me formën e lojtarit i cili është ballafaquar me shumë dëmtime kohët e fundit.

Top Channel