Kontrollet e paautorizuara nga KEDS, reagon AP i Kosovës

29/01/2016 00:00

Institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë ka kërkuar pezullim të përkohshëm të kontrolleve, që kompania kosovare për shpërndarjen dhe furnizimin me energji elektrike, KEDS, kryen brenda pronave të qytetarëve, pa autorizim.

Këtë masë të përkohshme pezullimi, Avokati i Popullit e kërkon derisa të përmbyllë hetimet, lidhur me ankesat që ka marrë nga qytetarët.

“Institucioni i Avokatit të Popullit ka pranuar ankesa të veçanta, lidhur me aktivitetet e kompanisë kosovare për shpërndarjen dhe furnizimin me energji elektrike, KEDS. Në bazë të pretendimeve të ankuesve, punëtorët e KEDS-it i kryejnë këto kontrolle pa autorizim nga organet kompetente përkatëse dhe në mënyrë kolektive nëpër lagje të caktuara”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Avokatit të Popullit.

Sipas Avokatit të Popullit, në bazë të Kushtetutës së Kosovës, kontrolli i paautorizuar i banesës mund të shkaktojë shkelje të së drejtës për privatësi dhe shkelje të së drejtës së pronës.

Avokati i Popullit ka kërkuar nga autoritetet përgjegjëse masën e përkohshme të pezullimit të këtyre aktiviteteve, të cilat – sipas hetimeve paraprake, – besohet se janë duke u ndërmarrë nga ana e KEDS-it.

Top Channel